4. Çfarë duhet të bëjë punëdhënësi juaj?
Punëdhënësit kanë të njëjtat përgjegjësi ndaj punëtorëve migrues sikurse ndaj fuqisë punëtore Britanike.
Ata janë përgjegjës për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien në punë të çdo personi që punon për ta. Ata duhet të kontrollojnë rreziqet për punëtorët e tyre dhe për këdo që mund të dëmtohet nga puna. Në rast se identifikon një rrezik, punëdhënësi juaj duhet t'ju informojë për të dhe masat paraprake që ka marrë për t'ju mbrojtur ju dhe punëtorët e tjerë.
Përgjegjësitë kryesore të punëdhënësit tuaj përfshijnë:
- t'ju informojë për çdo rrezik për shëndetin dhe sigurinë që lidhet me punën tuaj.
- t'ju japë informacionin, udhëzimet dhe trajnimet që ju nevojiten për të punuar në mënyrë të sigurt dhe më pas të verifikojë nëse i keni kuptuar ato.
- të sigurohet që jeni trajnuar siç duhet për të drejtuar automjetin ose të përdorni çdo makineri dhe të mos ju lejojë ta bëni atë punë nëse nuk jeni trajnuar siç duhet.
- të sigurojë për ju pajisje ose veshje mbrojtëse pa pagesë, në rast se nevojiten për punën, të cilat duhet të jenë të ngrohta dhe/ose të papërshkueshme nga uji në rast se është e nevojshme që të punoni në mjedise të jashtme.
- të sigurohet që të keni një tualet, lavamanë të përshtatshëm dhe ujë të pijshëm të pastër.
- të sigurohet që t'ju jepet ndihma e parë urgjente.
- të marrë parasysh rreziqet që ekzistojnë për gratë në moshë riprodhuese, veçanërisht nëse ato janë shtatzëna ose ushqejnë me gji (për shembull, rreziqet kur punojnë me kimikate të caktuara).
- të marrë parasysh nevojat e punëtorëve nën 18 vjeç, të cilët mund të jenë më pak të aftë për të përballuar të njëjtat kërkesa fizike si një i rritur, ose më të prirur ndaj rrezikut sepse kanë më pak përvojë pune
Për udhëzime më specifike lexoni këshilla për punëdhënësit e punëtorëve migrues.